Të Gjitha Aktivitetet

Public discussion on the health consequences of environmental degradation in Gjakova

Diskutim publik për pasojat shëndetësore të degradimit mjedisor në Gjakovë

Në një diskutim publik të organizuar në nëntor nga Rrjeti Qeliza me qytetarët e Gjakovës, u ngritën shqetësime për pasojat e rënda shëndetësore që vijnë nga degradimi i mjedisit në rajon. Diskutimi, ku morën pjesë ekspertë të mjedisit, profesionistë shëndetësorë dhe qytetarë, shfaqi nevojën urgjente për veprim për të adresuar ndotjen e shumëanshme që prek komunitetin e Gjakovës.

Diskutimi filloi me Nalina Berisha, higjieniste nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e cila shtjelloi ndotjen dhe implikimet shëndetësore që lidhen me degradimin e mjedisit në rajon.

Sipas Berishës, Gjakova përballet me lloje të ndryshme të ndotjes, por më të theksuara janë ndotja industriale dhe ajo shtëpiake.

U tha se depozitimi i mbetjeve industriale dhe shtëpiake siç është edhe rasti i degradimit të rajonit të Shkugëzës ndikon në krijimin e pasojave të rënda shëndetësore.  Hedhja në vende joadekuate e atyre mbeturinave ndikon në lëshimin e toksinave të dëmshme në tokë, ajër dhe në burime të ujit, duke çuar në një mori sëmundjesh në mesin e popullatës lokale. Prezantimi theksoi pasojat shëndetësore të një ndotjeje të tillë, siç është paraqitja e astmës, diabetit, stresit, kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe pulmonare.

Gjatë diskutimit, qytetarët kërkuan që të zbatohet parimi ku ndotësi paguan për të adresuar degradimin, duke kërkuar përgjegjësi nga palët përgjegjëse për dëmet mjedisore që shkaktojnë. Qytetarët shprehën pakënaqësi për ndotjen e vazhdueshme të rrjedhave të ujërave nga kanalizimet si dhe  ndotjen e shkaktuar gjatë dimrit nga përdorimi i kripës në asfalt e cila përfundimisht derdhet në lumenj përmes ujërave atmosferik.

Një tjetër pikë e rëndësishme  e diskutimit ishte ndikimi mjedisor i ndërtimeve të reja që nuk respektojnë standardet e përcaktuara nga ligjet e planifikimit hapësinor. Pjesëmarrësit kërkuan monitorim të rreptë të praktikave të ndërtimit dhe përfshirjen e sistemit BIODISK në çdo ndërtesë për të filtruar shkarkimet e ujërave të zeza të cilat po e cenojnë shëndetin publik.

Në fund pjesëmarrësit propozuan krijimin e një platforme për të raportuar ndotësit e mjedisit. Kjo iniciativë sipas tyre do të fuqizonte qytetarët që të kontribuojnë në mënyrë aktive në monitorimin dhe mbajtjen përgjegjës të atyre që degradojnë ambientin e Gjakovës.

Lexo Më Shumë
Urban degradation - a primary problem for Ferizaj

Degradimi urban një problem primar për Ferizajin

Në një diskutim publik të organizuar nga Rrjeti AVONET, të mbajtur në shkurt e të udhëhequr nga gazetari Afrim Demiri në Ferizaj, shqetësimet për degradimin urban u vendosën në qendër të vëmendjes ndërsa qyteti po përballet me pasojat e betonizimit dhe mungesës së hapësirave të gjelbra. Lejet urbanistike që krijojnë deformime urbane u theksuan si një nga shkaktarët kryesorë të këtij degradimi.

Ferizaji po përballet me përhapjen e hapësirave publike të dominuara nga betoni, zhvillimin e lagjeve që nuk përmbushin kriteret e planifikimit urban, mungesën akute të hapësirave të gjelbra dhe mungesën e pemëve/drunjve brenda qytetit. Këto sfida po kontribuojnë kolektivisht në vështirësitë me të cilat përballen qytetarët, duke nënvizuar nevojën urgjente për planifikim gjithëpërfshirës urban dhe nisma mjedisore për të rritur cilësinë e jetesës brenda qytetit.

Në diskutim u përmend së praktika e betonizimit po vazhdon tani të shtrihet edhe jashtë qytetit, në zona malore të cilat janë një aset natyror për komunën e Ferizajot. Betonizimi i zonave mjedisore në Jezerc shton një tjetër shtresë shqetësimi, pasi përdorimi i betonit dhe asfaltit kontribuon në degradimin e kësaj pjese. Betonizimi i ambientit në Jezerc  përbën një kërcënim serioz për habitatet dhe ekosistemet e tij. Transformimi i kësaj zone përtej degradimit të vlerës estetike të rajonit, prish ekuilibrin delikat që mbështet florën dhe faunën duke e rrezikuar biodiversitetin. Gjatë diskutimit u bë thirrje për të mbrojtur nga një situatë e tillë zonat si Brezi i Saraishtës, Dalja e Varoshit, Parku i Lirisë dhe Rjedha e Degës së Sazlisë dhe të mos lejohet të përsëritet praktika e prerjes së 100 drunjve që kishte ndodhur në Parkun e Lirisë.

Përballë këtyre sfidave kritike, është gjithnjë e më e dukshme se veprimet urgjente janë të domosdoshme për të siguruar mbrojtjen e integritetit urban dhe mjedisor të Ferizajt. Është thelbësore të avokohet për një zhvillim urban të mirëplanifikuar, duke përfshirë praktika të qëndrueshme për krijimin e një qyteti që jo vetëm përmirëson cilësinë e jetës për qytetarët e tij, por gjithashtu ka prioritet shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Lexo Më Shumë
The public discussion in Podujeva addresses the health consequences of water pollution

Diskutimi publik në Podujevë trajton pasojat shëndetësore nga ndotja e ujit

Në përpjekje për të adresuar degradimin alarmant mjedisor nga derdhja e ujërave të zeza në lumin Llapi dhe liqenin e Batllavës, në dhjetor në Podujevë u organizua njw diskutim publik nga OJQ Ekovizioni me temë "Pasojat shëndetësore të degradimit mjedisor" me qëllim që qytetarët të njoftohen me dëmet shëndetësore me të cilat mund të ballafaqohen nga kontaminimi mjedisor.

Biologu Mentor Bici e drejtoi diskutimin, duke filluar me një pasqyrë gjithëpërfshirëse të ndotjes, duke përfshirë aspektet biologjike, fizike dhe kimike, dhe duke theksuar rolin e ndryshimeve klimatike dhe aktiviteteve njerëzore në përkeqësimin e këtyre shqetësimeve.

Në këtë prezantim u theksua prania e gjerë e mikroplastikës, e derivateve të tyre dhe e ujërave të zeza në mjedis, pasojat e të cilave janë afatgjate dhe pothuajse të pakthyeshme.

Diskutimi u thellua në rreziqet shëndetësore që lidhen me degradimin e mjedisit, veçanërisht sëmundjet e transmetuara përmes ujit të pijshëm të kontaminuar. Bici numëroi patogjenë të ndryshëm përgjegjës për sëmundjet e shkaktuara nga uji, duke përfshirë, Legjionelozën, Kolerën, Kriptosporidiozën, Enterovirusin, Giardiasis, Hepatitin A dhe E, Listeriozën, Leptospirozën, Salmonelën, Tifonë dhe sëmundjet që kontribuojnë në 90% të vdekjeve të fëmijëve si pneumonia dhe çrregullimet neonatale.

Gjatë prezantimit dolën edhe disa rekomandime kryesore për të mbrojtur shëndetin publik dhe mjedisin.

Folësi Bici, propozoi zbatimin e biofilmave në tubacionet e ujit për të penguar përhapjen e patogjenëve bakterialë, si dhe praktikën e vlimit të ujit si një mjet për eliminimin e patogjenëve nga uji. Gjithashtu, u sugjeruan masa infrastrukturore, duke përfshirë ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza dhe heqjen e sistemeve të ujërave të zeza nga lumenjtë dhe liqenet, sepcifikisht në rastin e lumit Llapi dhe Liqenin e Batllavës.

Rekomandimet e Bicit për autoritetet ishin përfshirja e masave të rrepta për të kontrolluar degradimin e shtretërve të lumenjve, frenimin e hedhjes masive të mbetjeve dhe parandalimin e ndotësve toksikë që prishin stabilitetin natyror të trupave ujorë ndërsa në anën tjetër qytetarët e pranishëm shprehën shqetësimet e tyre për situatën aktuale duke bërë thirrje për veprim tek institucionet dhe duke kërkuar që të bashkëpunojnë në miratimin dhe zbatimin e këtyre masave për të shmangur përkeqësimin e mjedisit, për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e burimeve ujore në Podujevë.

Lexo Më Shumë

Na shkruani

Si mund të qasem në formularin e Raportimit në platformë?

Çfarë informacioni personal nevojitet për të paraqitur një raportim?

Si mund të bashkëngjes imazhe ose video?