Image

KDI: Të gjithë kandidatët për kryetarë të komunave të publikojnë programet zgjedhore të detajuara për qytetarët

Prishtinë, 28 shtator 2025 – Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale tashmë ka hyrë në javën e tretë, por një numër i madh i kandidatëve për kryetarë komunash ende nuk kanë publikuar programe të qarta dhe të qasshme për qytetarët. Kjo mungesë transparence vë në pikëpyetje seriozisht qasjen e kandidatëve ndaj përgjegjësisë publike dhe ndikon drejtpërdrejt në mundësinë e votuesve për t’u informuar drejt.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) apelon që të gjithë kandidatët të publikojnë programe të detajuara qeverisëse, të cilat nuk duhet të reduktohen në premtime ad hoc apo deklarata pompoze pa mbështetje reale në nevojat e qytetit dhe mundësitë financare të komunës përkatëse. Programet duhet të ofrojnë qartësi dhe të jenë të mundshme për t’u realizuar në praktikë gjatë mandatit, të përshkruajnë fazat konkrete të konceptimit, planifikimit dhe zbatimit të politikave apo projekteve të propozuara, si dhe të japin informacion të saktë mbi burimet e financimit dhe strukturën e përgjegjësisë institucionale përfshirë aktorët lokalë dhe potencialisht partnerët zbatues.

Në episodin e fundit të podcastit të KDI-së, me titull "Sa mendojnë gjelbër komunat e Kosovës", Selvije Kurti, menaxhere e projektit, dhe Ardian Muca, koordinator, theksojnë rëndësinë e programeve qeverisëse si mjet për të siguruar një qeverisje të planifikuar, të matur, dhe të bazuar në nevojat dhe mundësitë konkrete të komunës, si dhe të llogaridhënëse. Fokus i veçantë i kushtohet politikave mjedisore në nivel lokal.

Nga podcasti u bë e ditur gjithashtu se shumica e programeve nga zgjedhjet e kaluara lokale, të kryetarëve aktualë të komunave nuk janë të qasshme për publikun, pasi janë larguar nga platformat zyrtare ose nuk janë aktive, një praktikë kjo që duhet të ndryshohet. Për më tepër, KDI thekson se mungesa e një programi të strukturuar, të qasshëm, e bën të pamundur llogaridhënien, pasi nuk ekziston një kornizë me të cilën mund të matet përmbushja e premtimeve gjatë dhe pas përfundimit të mandatit.

KDI fton të gjithë kandidatët për kryetarë komunash nga të gjitha partitë politike dhe ata/o të pavarur që të publikojnë pa vonesë programet e tyre qeverisëse dhe t’i vënë ato në dispozicion të qytetarëve përmes platformave të tyre zyrtare dhe kanaleve të komunikimit publik.

🎧 Podcastin e plotë mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të KDI në YouTube: KDI Green: Sa mendojnë gjelbër komunat e Kosovës?
▶️ Reels mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të KDI në: Facebook

Na shkruani

Si mund të qasem në formularin e Raportimit në platformë?

Çfarë informacioni personal nevojitet për të paraqitur një raportim?

Si mund të bashkëngjes imazhe ose video?