Të Gjitha Artikujt

Mundësitë e adaptimit të projekteve për rivitalizimin e hapësirave publike për mbrojtjen e mjedisit

Kosova, përballet me një sërë sfidash mjedisore që kërkojnë zgjidhje inovative. Urbanizimi i shpejtë, zhvillimi industrial dhe praktikat e aplikuara të menaxhimit të mbetjeve kanë rezultuar në ndotjen e ajrit dhe ujit, shpyllëzimin dhe një degradim të përgjithshëm të mjedisit. Deri më tani është thënë se Kosova gjendet në zonën e rrezikshmërisë për nga ndotja e ambientit. Ajri konsiderohet relativisht i ndotur, lumenjtë të degraduar nga bizneset ilegale, fushat e gjelbra të dëmtuara dhe deponitë e mbeturinave të vendosura në vende të ndryshme. Megjithatë, rivitalizimi i hapësirave publike paraqet një mundësi për të adresuar këto sfida duke rritur cilësinë e jetës për banorët e Kosovës.

Përgjatë viteve me zhvillimin e industrisë ndotja ka filluar ti tejkaloj premisat e normales, e kur flasim për Kosovën flasim për një gjendje alarmante të cilat veç se kanë filluar të evidentohen.

Ndotja e mjedisit i referohet futjes së ndotësve në mjedisin natyror, duke shkaktuar efekte negative. Këto ndotës mund të vijnë nga burime të ndryshme, duke përfshirë aktivitetet njerëzore dhe proceset natyrore. Ndotja e mjedisit mund të marrë forma të ndryshme, duke ndikuar në ajrin, ujin dhe tokën, si dhe duke ndikuar në ekosistemet, jetën e egër dhe shëndetin e njeriut. Lloje të ndryshme të ndotjeve marrin formën kur  hapësirat e prekshme nga njerëzit bëhet të pajtueshme.

Kosova ka filluar nisma te vogla të cilat i paraprijë projekteve të mëdha për mbrojtjen e mjedisit mirëpo këto projekte kryesisht mbështeten tek partnerët ndërkombëtar. Panelet diellore, turbinat e erës dhe instalimet e tjera të energjisë së rinovueshme në vende të ndryshme ose në çatitë e ndërtesave publike janë instaluar për të promovuar ndërgjegjësimin dhe adoptimin e praktikave të qëndrueshme. Gjithashtu, vendosja e shportave të riciklimit, zbatimi i programeve të ndarjes së mbetjeve dhe promovimi i përdorimit të materialeve të ricikluara në projektet e infrastrukturës publike janë konsideruar si hapa që mund të ndërmerren për të minimizuar ndikimin mjedisor.

E si një nga standardet më të vështira për integrime është mbrojtja e ambientit nga ndotjet dhe përkushtimi për planifikimin dhe kontrollimin e mjedisit në pajtim me standardet evropiane. E kur flasim për këtë temë një vend të veçant zënë edhe hapësirat publike dhe menaxhimi i tyre për të promovuar idealizëm ekologjik. Veprimet “ad-hoc” në projektet për rigjenerimin e hapësirave publike, siç thuhet, kanë krijuar hapësirë për veprime abuzuese me mjedisin.

Mu për këtë adaptimi i modeleve ndërkombëtare për rivitalizimin e hapësirave publike në mbrojtjen e mjedisit mund të jenë një opsion i vlefshëm për tu marr parasysh në politikat publike e sidomos në sektorin e gjelbër.

Shembull interesant mund të jetë shteti i Sllovakisë më saktësisht qyteti i Trnaves dhe projektet të cilat janë jetësuar ne 3 vitet e fundit nga ekzekutivi i këtij distrikti në Sllovaki. Nga vizitat studimore në këtë vend vërehet një frymë tjetër e politikave të agjendës së gjelbër.

Nga një qytet i vogël i ngulfatur më ndërtesa e hapësira të betonuara, hapësirat publike në këtë qytet janë shndërruar në sheshe të gjelbëruara e të unifikuara për të trajtuar seriozisht ndotjen e mjedisit në tri forma:

Sheshet kryesore- të këtij qyteti cilat janë të pakta por përbëjnë një nga pjesët kyqe të qytetit,  e që nga viti 2021 janë rivitalizuar duke u rrethuar me Panicum virgatum, i njohur zakonisht si switchgrass i cili për dallim nga bimët e tjera bëjnë absorbimin më të madh të dioksidit të karbonit dhe ndihmon në pastrimin e ajrit. Nga analizat këto bimë ulin edhe ngrohjen e shkaktuar nga materiet metalike e të çimentos të vendosura përgjatë shesheve.

Parkingu automatik vertikal për biçikleta -Është një nga projektet kryesore për të promovuar çiklizmin dhe për ti larguar tërësisht veturat nga rrugët e qytetit si synim deri ne vitin 2030.

Por çfarë është parkimi automatik i biçikletave? Ndërtesa është një kullë e madhe, 11 metra e lartë, me një kapacitet total për 118 biçikleta që i merr dhe i vendos ato automatikisht me një çmim jashtëzakonisht të volitshëm  vetëm 10 cent në 24 orë. Procesi i parkimit është tërësisht i automatizuar dhe zgjat maksimumi rreth 10 sekonda.

Zbulimi i ujrave nëntoksore-është funksionalizuar si një nga politikat më interesante publike për të ulur ngrohjen e qytetit nga gazrat, këto ujëra janë kanalizuar në hapësirat kryesore të qytetit për tu shfrytëzuar edhe si hapësira publike për rekreacion. Një vendim i tillë është marr për ti zhvlerësuar vendimet e kaluara nga institucionet të cilat i kanë varrosur ujërat dhe kanë kontribuar në ngrohjen e qytetit.

Përshtatja e projekteve për rivitalizimin e hapësirave publike në Kosovë paraqet një mundësi unike për të adresuar sfidat mjedisore duke rritur mirëqenien e përgjithshme të banorëve të saj. Përderisa urbanizimi vazhdon të formësojë peizazhin e Kosovës, është thelbësore që rivitalizimi i hapësirës publike të shihet më shumë se sa një përmirësim estetik. Është një mundësi për të harmonizuar mjedisin e ndërtuar me botën natyrore, duke nxitur një ekuilibër nga i cili përfitojnë brezat e tanishëm dhe të ardhshëm.

Autore: Tringa Dreshaj


Lexo Më Shumë

Na shkruani

Si mund të qasem në formularin e Raportimit në platformë?

Çfarë informacioni personal nevojitet për të paraqitur një raportim?

Si mund të bashkëngjes imazhe ose video?