Në kuadër të takimeve me kryetarë të komunave, përfaqësuesit e KDI-së së bashku me organizatën partnere “Iniciativa Qytetare Skenderaj” IQS, janë takuar me kryetarin e Skenderaj, Fadil Nura. Politikat e gjelbra lokale, llogaridhënia dhe transparenca e pushtetit lokal, ishin temat e diskutuara gjatë takimit. Ndërkohë është folur edhe për bashkëpunimin ndërmjet pushtetit komunal dhe shoqërisë civile. Kryetari Nura ka folur për projektet komunale që kanë të bëjnë me mjedisin dhe politikat e gjelbra në tërësi, duke shprehur përkushtimin e tij për orientim të qeverisjes lokale drejt qeverisjes së gjelbër dhe përmirësimit të ambientit edhe më shumë. Po ashtu, ai ka vlerësuar rolin e shoqërisë civile, duke ofruar mbështetje dhe bashkëpunim të plotë.