Të Gjitha Aktivitetet

Health consequences of water pollution and mining activity in Mitrovica

Pasojat shëndetësore nga ndotja e ujërave dhe aktiviteti minerar në Mitrovicë

Në një diskutim publik të organizuar nga OJQ Mundësia në Mitrovicë, Dr. Teuta Fejza nga Instituti i Shëndetit Publik prezantoi pasojat e ndotjes së mjedisit dhe implikimet në shëndetin publik. Diskutimi theksoi nevojën urgjente për ndërgjegjësimin e komunitetit dhe përpjekjet e bashkërenduara për të trajtuar ndikimin e dëmshëm të ndotjes tek qytetarët.

Teuta Fejza e nënvizoi dëmin e thellë që ndotja u shkakton organizmave të gjallë, duke e bërë pothuajse të pamundur jetën në zonat e prekura. Ajo identifikoi faktorë të ndryshëm që kontribuojnë në ndotjen duke përfshirë  tymin e emetuar nga fabrikat dhe automjetet, aktivitetin minerar, shpyllëzimin, depozitimin e parregullt të mbetjeve dhe çlirimin e substancave të dëmshme.

Ajo theksoi gjithashtu efektet negative të mbipopullimit në zona të caktuara urbane, duke përmendur ndërtimin e ndërtesave të larta dhe praninë e pamjaftueshme të hapësirave të gjelbra. Më vonë u konstatua se sëmundjet që vijnë nga faktorët e lartpërmendur përfshijnë kancerin, sëmundjet e zemrës, sëmundjet e mushkërive, astmën bronkiale, alergjitë, bronkitin kronik dhe sëmundje të ndryshme infektive.

Fejza ka folur më tej për ndotjen e ujit, duke u lidhur me faktin se 4 lumenjtë e qytetit të Mitrovicës janë në një gjendje alarmante nga ndotja me mbeturina dhe me ujëra të zeza. Burimet e tilla të kontaminuara të ujit mund të çojnë në një mori sëmundjesh të shkaktuara nga uji, duke sjell infeksione gastrointestinale. Poashtu, u cek se ky ujë i kontaminuar mund të çojë në një prevalencë të shtuar të sëmundjeve të shkaktuara nga uji si kolera, dizenteria dhe hepatiti A.

​Në adresimin e ndotjes së tokës, Teuta Fejza nënvizoi pasojat e saj për shëndetin e njerëzve. Toka e kontaminuar me substanca të rrezikshme mund të rrezikojë sigurinë e burimeve ushqimore, duke çuar potencialisht në konsumimin e toksinave. Kjo, nga ana tjetër, mund të rezultojë në sëmundje të tilla si çrregullime gastrointestinale, neurologjike dhe dëmtime të përgjithshme të organeve.

Qytetarët e pranishëm në diskutim ngjashëm shprehën shqetësimet e tyre për ndotjen me të cilën ballafaqohen e sidomos për ndotjen minerare nga minierat e këtij qyteti.

Banorët ngritën pyetje në lidhje me rreziqet që lidhen me metalet e rënda si dhe pasojat e mundshme për shëndetin publik nga ekspozimi ndaj metaleve të rënda dhe ndikimit specifik qe mund ta kenë në sistemin nervor. Pjesëmarrësit kërkuan sqarime mbi rrugët përmes të cilave kontraktohen metalet e rënda nga njeriu dhe efektet që ato mund t'i kenë në mirëqenien neurologjike.

Përfundimisht, nga ligjëruesja u konfirmua se qytetarët e Mitrovicës vijojnë t'i ekspozohen rrezikut nga metalet e rënda për vite me radhë dhe se pasojat shëndetësore janë afatgjate dhe të parikuperueshme.

 

Lexo Më Shumë
Addressing Environmental Health Challenges in Skenderaj

Adresimi i Sfidave të Shëndetit Mjedisor në Skenderaj

Në Skenderaj në muajin nëntor është organizuar një diskutim publik i udhëhequr nga Dr. Lendita Krasniqi, eksperte nga Instituti i Shëndetit Publik ku është trajtuar tema e degradimit mjedisor dhe pasojat e tij në shëndetin e njeriut.

Vizitat në teren në lumin "Klina" në Llaushë dhe në deponinë inerte pranë fushës sportive  i kanë paraprirë këtij diskutimi. Lumi "Klina" në Llaushë, i cili është i kontaminuar nga mbeturinat dhe ujërave të zeza paraqet rreziqe të drejtpërdrejta shëndetësore tha Dr. Krasniqi.

 Uji i ndotur i lumenjve, veçanërisht nga mbeturinat dhe ujërat e zeza, mund të strehojë një sërë sëmundjesh që vijnë nga uji që paraqesin rreziqe të konsiderueshme për shëndetin e njerëzve.

Një nga sëmundje është giardiasis, e shkaktuar nga paraziti Giardia intestinalis, i cili çon në simptoma gastrointestinale si diarre, dhimbje barku dhe të vjellura. Përveç kësaj, uji i kontaminuar mund të bartë edhe bakterin Escherichia coli (E. coli), duke shkaktuar poashtu sëmundje të sistemit gastrointestinal. Ngashëm edhe virusi i hepatitit, ndihmohet nga ky ambient i ujërash të ndotura të lumenjve.

Shqetësimi i dytë kishte të bënte me një deponi me materiale inerte dhe ndërtimore pranë një terreni sportiv në Skenderaj. Dr. Krasniqi paralajmëroi për rreziqet respiratore nga pluhuri dhe ndotja e ajrit, duke kërkuar zhvendosjen e deponisë për sigurinë e atyre që përdorin terrenin sportiv.

Diskutimi publik përfundoi me një thirrje të përbashkët për angazhim  midis qytetarëve dhe autoriteteve lokale për zbatimin zgjidhjeve të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. ​

Lexo Më Shumë
Disturbing health consequences of the degradation of the environment in Rahovec

Pasojat shqetësuese shëndetësore të degradimit të mjedisit në Rahovec

Në diskutimin "Pasojat e degradimit mjedisor në shëndetin e njeriut" të organizuar në nëntor nga SHL Kosova dhe të udhëhequr nga kimisti Bekim Nazifi u shpalosën pasojat e shëndetësore me të cilat rrezikohen qytetarët e Rahovecit nga degradimi i mjedisit.

Bekim Nazifi adresoi një sërë shqetësimesh urgjente, duke filluar me  gurëthyesit që operojnë pranë qytetit e që lëshojnë grimca në ajr nga përpunimi i gurit. Këto grimca të cilat janë të rrezikshme përfundojnë në ujë, ajër dhe tokë e që në mënyra të ndryshme kontraktohen nga banorët lokal.

Më tutje, Nazifi, shtjelloi implikimet e mundshme shëndetësore të ekspozimit të zgjatur ndaj këtyre ndotësve të rrezikshëm dhe tërhoqi vëmendjen për materialet kancerogjene të pranishme në tre llojet e gurëve të përpunuar në këto gurore, duke i lidhur me rritjen e prevalencës së banorëve të Rahovecit që vuajnë nga leukemia dhe kanceri.

Rahoveci vlerësohet të ketë tokën më të ndotur me pesticide në Kosovë për shkak të pesticideve të pakontrolluara që përdoren në vreshta. Ekspozimi ndaj këtyre pesticideve, përveç degradimit të tokës, është lidhur me një gamë çështjesh shëndetësore, duke përfshirë problemet e frymëmarrjes, çrregullimet neurologjike dhe forma të ndryshme të kancerit.

Poashtu, mungesa e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Rahovec, sipas Nazifit, rrit rreziqet shëndetësore pasi ujërat e zeza të patrajtuara derdhen në mjedis, duke i ekspozuar banorët ndaj patogjenëve të dëmshëm sic është edhe shembulli i lumit "Dullo".

Rrjedha e këtij lumi tashmë është një vendgrumbullim i mbeturinave si dhe adresë ku thertoret e kafshëve dhe bodrumet e verës i hedhin mbetjet e tyre. Ky kontaminim mjedisor përbën një kërcënim të madh për banorët, sepse i rrit  gjasat e sëmundjeve të shkaktuara nga ujit duke sjellë komplikime afatgjata shëndetësore.

Në përgjigje të këtyre problemeve mjedisore u sollën një sërë rekomandimesh për të zbutur pasojat shëndetësore të degradimit të mjedisit në Rahovec. Sugjerimet përfshinin mbjelljen e gjerë të fidanishteve në zonat urbane, pajisjen e shkollave të mesme me laboratorë për të matur cilësinë e ujit dhe ajrit, ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, kontrollimin e përdorimit të pesticideve, nxitjen e nismave për riciklimin e mbetjeve nëpërmjet granteve dhe rritjen e gjobave për ndotjen e mjedisit.

Lexo Më Shumë
Kodra e Trimave and Shkabaj village endangered by waste landfills

Kodra e Trimave dhe fshati Shkabaj të rrezikuar nga deponitë e mbeturinave

Në një diskutim publik mbi efektet e dëmshme të ndotjes së mjedisit në shëndetin e njeriut, ekologia Nora Simitçiu prezantoi pasojat e rënda që sjellë ndotja nga materialet e pranishme në deponitë inerte në "Kodrën e Trimave" dhe fshatin Shkabaj.

Nora Simitçiu sqaroi se në këto deponi të vendosura pranë venbanimeve, prania e membranës bituminoze përbën një rrezik të konsiderueshëm mjedisor dhe shëndetësor. Membrana bituminoze, e cila përdoret zakonisht për hidroizolim, përmban substanca të dëmshme si PAH dhe VOC. Ekspozimi i njerëzve dhe kafshëve ndaj këtyre grimcave u cek se mund të çojë në një gamë të gjerë sëmundjesh, duke përfshirë kancerogjenitetin.

Poashtu, u tha se pambuku mineral i qelqit, një material tjetër izolator i pranishëm në këto deponi, paraqet një rrezik për banorët lokalë.  Ekspozimi ndaj fibrave të pambukut mineral të qelqit, të cilat fibra mund të lëvizin lehtësisht përmes erës, mund të paraqesin rreziqe të konsiderueshme shëndetësore për qytetarët që jetojnë pranë deponive të hapura.

Simitçiu theksoi se gomat e vjetruara të  makinave që u panë në këto deponi mund të lëshojnë kimikate dhe toksina të dëmshme si benzeni, hidrokarburet aromatike policiklike (PAH) dhe metale të rënda në ajër, tokë dhe ujë. Këto substanca  çojnë në probleme të ndryshme shëndetësore për individët që jetojnë në afërsi të tyre, duke përfshirë problemet e frymëmarrjes dhe efektet e mundshme afatgjata si kanceri.

Plastika dhe stiropori, të dyja të pranishme gjerësisht në këto deponi janë materiale jo të biodegradueshme. Derisa këto materiale me kalimin e gjatë të kohës shpërbëhen ato lëshojnë mikroplastikë në mjedis e cila dihet se shkakton dëmtim të strukturave qelizore në trup.

​Në përgjigje të shqetësimeve të përshkallëzuara, qytetarët kërkuan të adresohet kjo çështje duke hequr urgjentisht deponinë dhe propozuan që këto deponi të shndërrohen në zona publike të qëndrueshme. Duke kërkuar një zgjidhje, ata propozuan për shndërrimin e hapësirave aktuale të deponive në një mjedis më të shëndetshëm dhe rekreativ për lagjen.

 

Lexo Më Shumë
Public discussion on the health consequences of environmental degradation in Gjakova

Diskutim publik për pasojat shëndetësore të degradimit mjedisor në Gjakovë

Në një diskutim publik të organizuar në nëntor nga Rrjeti Qeliza me qytetarët e Gjakovës, u ngritën shqetësime për pasojat e rënda shëndetësore që vijnë nga degradimi i mjedisit në rajon. Diskutimi, ku morën pjesë ekspertë të mjedisit, profesionistë shëndetësorë dhe qytetarë, shfaqi nevojën urgjente për veprim për të adresuar ndotjen e shumëanshme që prek komunitetin e Gjakovës.

Diskutimi filloi me Nalina Berisha, higjieniste nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e cila shtjelloi ndotjen dhe implikimet shëndetësore që lidhen me degradimin e mjedisit në rajon.

Sipas Berishës, Gjakova përballet me lloje të ndryshme të ndotjes, por më të theksuara janë ndotja industriale dhe ajo shtëpiake.

U tha se depozitimi i mbetjeve industriale dhe shtëpiake siç është edhe rasti i degradimit të rajonit të Shkugëzës ndikon në krijimin e pasojave të rënda shëndetësore.  Hedhja në vende joadekuate e atyre mbeturinave ndikon në lëshimin e toksinave të dëmshme në tokë, ajër dhe në burime të ujit, duke çuar në një mori sëmundjesh në mesin e popullatës lokale. Prezantimi theksoi pasojat shëndetësore të një ndotjeje të tillë, siç është paraqitja e astmës, diabetit, stresit, kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe pulmonare.

Gjatë diskutimit, qytetarët kërkuan që të zbatohet parimi ku ndotësi paguan për të adresuar degradimin, duke kërkuar përgjegjësi nga palët përgjegjëse për dëmet mjedisore që shkaktojnë. Qytetarët shprehën pakënaqësi për ndotjen e vazhdueshme të rrjedhave të ujërave nga kanalizimet si dhe  ndotjen e shkaktuar gjatë dimrit nga përdorimi i kripës në asfalt e cila përfundimisht derdhet në lumenj përmes ujërave atmosferik.

Një tjetër pikë e rëndësishme  e diskutimit ishte ndikimi mjedisor i ndërtimeve të reja që nuk respektojnë standardet e përcaktuara nga ligjet e planifikimit hapësinor. Pjesëmarrësit kërkuan monitorim të rreptë të praktikave të ndërtimit dhe përfshirjen e sistemit BIODISK në çdo ndërtesë për të filtruar shkarkimet e ujërave të zeza të cilat po e cenojnë shëndetin publik.

Në fund pjesëmarrësit propozuan krijimin e një platforme për të raportuar ndotësit e mjedisit. Kjo iniciativë sipas tyre do të fuqizonte qytetarët që të kontribuojnë në mënyrë aktive në monitorimin dhe mbajtjen përgjegjës të atyre që degradojnë ambientin e Gjakovës.

Lexo Më Shumë

Na shkruani

Si mund të qasem në formularin e Raportimit në platformë?

Çfarë informacioni personal nevojitet për të paraqitur një raportim?

Si mund të bashkëngjes imazhe ose video?