Në një diskutim publik të mbajtur në Lipjan në muajin nëntor, përfaqësuesit e komunës, anëtarët e asamblesë, udhëheqësit e fshatrave dhe përfaqësuesit e OJQ-ve, u mblodhën për të diskutuar shqetësimet e përshkallëzuara mjedisore në këtë komunë. Të udhëhequr nga ekologu Zeqir Veselaj, diskutimi u fokusua në gjendjen aktuale të mjedisit dhe pasojat e këtij degradimi në komunën e Lipjanit.
Profesor Veselaj dha një pasqyrë gjithëpërfshirëse të situatës mjedisore, duke tërhequr vëmendjen tek shqetësimet e theksuara në Raportin e BE-së për Kosovën në vitin 2023 ku gjendja e mjedisit ceket të jetë në një nivel të pakënaqshëm.
Pjesëmarrësit shprehën shqetësim të veçantë për ndotjen e lumenjve në komunë nga mbeturinat si dhe nga shkarkimet e ujërave të zeza duke e cekur që jetesa pranë këtyre ujërave është bërë e padurueshme. Diskutimi u shtri në monitorimin e lumit në fshatin Kojskë, ku vëzhgimet e komunitetit dokumentuan një ndotje të madhe nga ujërat e zeza, që përbën një kërcënim thelbësor për banorët përreth dhe tokat bujqësore aty pranë. Derdhja masive e ujërave të zeza nga shumë fshatra në këtë lumë dhe dalja e rrjedhës nga shtrati i lumit është duke shkaktuar pasoja të mëdha ekologjike dhe shëndetësore.
Eksploatimi i rërës dhe zhavorit u shfaq si një problem tjetër serioz, sepse po sjell degradimin e lumenjve. U tha se ky proces po e ndryshon dinamikën e rrjedhës së lumenjëve, po shkakton erozion në rrjedhën e poshtme dhe po dëmton ekosistemet ujore, veçanërisht popullatat e peshqve. Ky eksploatim po e rritë mundësinë e përmbytjeve duke rrezikuar poashtu jetën e banorëve. Biodiversiteti dhe zonat e mbrojtura po përballen me degradim të vazhdueshëm dhe legjislacioni, ndonëse i kompletuar, ka probleme me zbatimin efektiv tha Zeqiri.
Më pas fokusi u zhvendos në probleme tjera mjedisore, duke filluar nga ndotja e ajrit. Veselaj theksoi ndotësit e vazhdueshëm, duke përfshirë KEK-un dhe industritë e ndryshme, djegia e mbeturinave, gurëthyesit dhe ngrohja dimërore po sjellin statistika alarmante të vdekjeve të parakohshme dhe të sëmundjeve të ndryshme duke nënvizuar nevojën urgjente për përmirësim të cilësisë së ajrit.
Në kuadër të këtij diskutimi dolën një sërë rekomandimesh për adresimin e sfidave të identifikuara. OJQ-të lokale dhe komuniteti u inkurajuan të vazhdojnë angazhimin e tyre për mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar rolin e edukimit dhe ndërgjegjësimit në zbutjen e ndotjes dhe pasojave të saj shëndetësore. Sugjerimet përfshinin shtimin e koshave të mbeturinave, shtimin e inspektorëve të mjedisit dhe zbatimin e parimit “Ndotësi paguan”. Poashtu, komunës iu kërkua që të zbatojë programe edukimi dhe vetëdijesimi për qytetarët për mbrojtjen e mjedisit, të gjitha duke theksuar nevojën për përpjekje të përbashkëta për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm në Lipjan.