Në nëntor të vitit 2023, në një diskutim të organizuar nga Syri i Vizionit për qytetarët dhe nxënësit e Pejës, Lendita Krasniqi nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik shpalosi rreziqet biologjike dhe kimike që i kanosen njeriut nga degradimi i mjedisit.
Duke qenë se në Pejë qytetarët paraprakisht kishin identifikuar dy zona që janë subjekt i degradimit natyror si akumulimi i mbeturinave në Parkun Kombëtarë të Rugovës dhe rrjedhjen e ujërave të zeza pranë shkollës fillore "Xhemajl Kada", atëherë edhe prezantimi u fokusua në pasojat shëndetësore që mund të shfaqen si rezultat i këtyre dy problematikave.
Krasniqi tha se hedhja pa kriter e mbeturinave në mjedise të hapura natyrore paraqet rreziqe të shumëanshme për shëndetin e njeriut. Akumulimi i mbeturinave në këto mjedise siç ështe rasti në Kuçishtë bëhet një terren pjellor për vektorët e sëmundjeve dhe fut kontaminues të rrezikshëm në ekosistem.
Duke kaluar në një çështje tjetër urgjente, Krasniqi trajtoi rrjedhën e rrezikshme të kanalizimit pranë një shkolle fillore. Ajo theksoi kërcënimet specifike që paraqiten për fëmijët, duke përmendur potencialin për sëmundjet që vijnë nga uji dhe ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj patogjenëve.
Në takim u se shkarkimet e patrajtuara të ujërave të zeza mund të kenë pasoja afatgjata në shëndetin publik sepse ky shkarkim shkakton një spektër të gjerë sëmundjesh. Ndotës të tillë si bakteret, viruset dhe parazitët e pranishëm në ujërat e zeza mund të rezultojnë në infeksione gastrointestinale, kolerë, ethe tifoide dhe hepatit A. Ekspozimi mund të çojë gjithashtu në infeksione të lëkurës, probleme të frymëmarrjes dhe infeksione të syve.
Përfundimisht, Krasniqi, bëri thirrje për veprim kolektiv për të adresuar këto sfida mjedisore. Qytetarët dhe nxënësit e pranishëm në diskutim të shqetësuar kërkuan zgjidhje institucionale, veçanërisht në lidhje me rrjedhjen e rrezikshme të ujërave të zeza pranë shkollës.