Të Gjitha Aktivitetet

Urgent action needed to address the pollution in the rivers of the villages of Koretin and Karaçeva

Nevojitet veprim urgjent për të adresuar ndotjen në lumenjtë e fshatrave Koretin dhe Karaçevë

Në një përpjekje të përbashkët për të adresuar një krizë urgjente mjedisore, OJQ Fortesa dhe pjesëtarë të komunitetit, gjatë muajit tetor vizituan degradimin e lumenjve në fshatrat Koretin dhe Karaçevë të komunës së Kamenicës.

Vizitat në terren dokumentuan një gjendje alarmante të lumenjve si pasojë e shkarkimit të ujërave të zeza, duke krijuar një mjedis të rrezikshëm për qytetarët aty pranë. Kundërmimi sipas banorëve, ka arritur në nivele të padurueshme, duke e rritur mundësinë e përhapjes së sëmundjeve epidemike dhe duke ndikuar në cilësinë e jetës për komunitetin që jeton në afërsi.

 

Lexo Më Shumë
Cement dust and water pollution - risks for Kaçanik

Rreziqet shëndetësore nga pluhuri i çimentos dhe ndotja e ujërave në Kaçanik

Në një diskutim publik të organizuar nga organizata Gjethi e të udhëhequr nga Dr. Sinan Veseli, Drejtor i Qendrës Mjekësore Familjare të Kaçanikut në dhjetor, qytetarët u informuan për pasojat e rënda shëndetësore që vijnë nga degradimi i mjedisit në komunitetin e tyre. Zonat e fokusit përfshinin lumin e ndotur të Nerodimes dhe fabrikën e çimentos që ndodhet në afërsi të zonave të banuara në Kaçanikun e Vjetër.

Dr. Veseli theksoi sëmundjet që vijnë nga uji i kontaminuar përfshijnë diarrenë akute dhe kronike, kolerën, ethet tifoide, hepatitin A dhe sëmundje të tjera të shumta. Madje gjatë këtij prezantimi u theksua edhe një rast ku për shkak të ndotjes së ujit të pijshëm në këtë komunë kishte pasur një numër të madh të paraqitjes së rasteve me simptoma të infeksionit gastrointestinal dhe pas analizave të ujit ishte vërtetuar se kjo kishte ardhur si pasojë e kontaminimit të tij.

Diskutimi i udhëhequr nga Dr. Veseli u fokusua në disa ndotës mjedisorë, duke përfshirë ozonin (O3), dioksidin e squfurit (SO2), dioksidin e azotit (NO2), monoksidin e karbonit (CO) dhe grimcat (PM 2.5 dhe PM10), pasojat shëndetësore të së cilave janë: sëmundja obstruktive e mushkërive, sëmundje të gjëndrës tiroide, dëmtimi i fetusit gjatë shtatzënisë, pesha e ulët në lindje, infertiliteti dhe lloje të ndryshme kanceri.

Lëshimi i vazhdueshëm i pluhurit nga fabrika e çimentos në Kaçanikun e Vjetër u tha se përbën një kërcënim thelbësor për shëndetin e banorëve. Grimcat, duke përfshirë pluhurin e imët silicë të krijuar gjatë prodhimit të çimentos, lirohen në ajër dhe absorbohen nga banorët, duke çuar në pasoja të rënda shëndetësore. Shqetësim i veçantë është rreziku i shfaqjes së silikozës, një sëmundje progresive dhe e parikuperueshme e mushkërive e shkaktuar nga ekspozimi i zgjatur ndaj pluhurit kristalor të silicës. Thithja e këtij pluhuri dëmton duke ngurtësuar mushkëritë dhe potencialisht rezulton në astmë bronkiale dhe kollë kronike

Poashtu u cek se ekspozimi ndaj emetimeve të fabrikës së çimentos mund të rrisë rrezikun e zhvillimit edhe të pneumokoniozës, astmës bronkiale dhe kancerit të mushkërive.

Lexo Më Shumë
Natural degradation in the municipality of Lipjan

Diskutim publik për pasojat e degradimit natyror në komunën e Lipjanit

Në një diskutim publik të mbajtur në Lipjan në muajin nëntor, përfaqësuesit e komunës, anëtarët e asamblesë, udhëheqësit e fshatrave dhe përfaqësuesit e OJQ-ve, u mblodhën për të diskutuar shqetësimet e përshkallëzuara mjedisore në këtë komunë. Të udhëhequr nga ekologu Zeqir Veselaj, diskutimi u fokusua në gjendjen aktuale të mjedisit dhe pasojat e këtij degradimi në komunën e Lipjanit.

Profesor Veselaj dha një pasqyrë gjithëpërfshirëse të situatës mjedisore, duke tërhequr vëmendjen tek shqetësimet e theksuara në Raportin e BE-së për Kosovën në vitin 2023 ku gjendja e mjedisit ceket të jetë në një nivel të pakënaqshëm.

Pjesëmarrësit shprehën shqetësim të veçantë për ndotjen e lumenjve në komunë nga mbeturinat si dhe nga shkarkimet e ujërave të zeza duke e cekur që jetesa pranë këtyre ujërave është bërë e padurueshme. Diskutimi u shtri në monitorimin e lumit në fshatin Kojskë, ku vëzhgimet e komunitetit dokumentuan një ndotje të madhe nga ujërat e zeza, që përbën një kërcënim thelbësor për banorët përreth dhe tokat bujqësore aty pranë. Derdhja masive e ujërave të zeza nga shumë fshatra në këtë lumë dhe dalja e rrjedhës nga shtrati i lumit është duke shkaktuar pasoja të mëdha ekologjike dhe shëndetësore.

Eksploatimi i rërës dhe zhavorit u shfaq si një problem tjetër serioz, sepse po sjell degradimin e lumenjve. U tha se ky proces po e ndryshon dinamikën e rrjedhës së lumenjëve, po shkakton erozion në rrjedhën e poshtme dhe po dëmton ekosistemet ujore, veçanërisht popullatat e peshqve. Ky eksploatim po e rritë mundësinë e përmbytjeve duke rrezikuar poashtu jetën e banorëve. Biodiversiteti dhe zonat e mbrojtura po përballen me degradim të vazhdueshëm dhe legjislacioni, ndonëse i kompletuar, ka probleme me zbatimin efektiv tha Zeqiri.

Më pas fokusi u zhvendos në probleme tjera mjedisore, duke filluar nga ndotja e ajrit. Veselaj theksoi ndotësit e vazhdueshëm, duke përfshirë KEK-un dhe industritë e ndryshme, djegia e mbeturinave, gurëthyesit dhe ngrohja dimërore po sjellin statistika alarmante të vdekjeve të parakohshme dhe të sëmundjeve të ndryshme duke nënvizuar nevojën urgjente për përmirësim të cilësisë së ajrit.

Në kuadër të këtij diskutimi dolën një sërë rekomandimesh për adresimin e sfidave të identifikuara. OJQ-të lokale dhe komuniteti u inkurajuan të vazhdojnë angazhimin e tyre për mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar rolin e edukimit dhe ndërgjegjësimit në zbutjen e ndotjes dhe pasojave të saj shëndetësore. Sugjerimet përfshinin shtimin e koshave të mbeturinave, shtimin e inspektorëve të mjedisit dhe zbatimin e parimit “Ndotësi paguan”. Poashtu, komunës iu kërkua që të zbatojë programe edukimi dhe vetëdijesimi për qytetarët për mbrojtjen e mjedisit, të gjitha duke theksuar nevojën për përpjekje të përbashkëta për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm në Lipjan.

Lexo Më Shumë
The health consequences of mining waste and water pollution in the municipality of Graçanica

Pasojat shëndetësore të mbetjeve minerare dhe ndotjes së ujërave në komunën e Graçanicës

Një diskutim publik u  organizua nga OJQ CPT në nëntor në Lapnasellë, Graçanicë, për t'i theksuar sfidat mjedisore dhe pasojat kritike shëndetësore që prekin komunitetin e komunës së Graçanicës. Ky diskutim mblodhi së bashku komunitetin bashkë me drejtorin e kompanisë lokale për deponimin e mbeturinave "Ekologija", përfaqësues nga organizatat joqeveritare dhe përfaqësues nga Komuna e Graçanicës.

Në këtë diskutim u theksuan tre çështje kryesore mjedisore që kërkojnë vëmendje, veçanërisht për shkak të pasojave të rënda shëndetësore: Deponia e mbetjeve minerare, Ndotja e lumit Vraçanka dhe Trafiku i ngarkuar.

Deponia e mbeturinave të minierës e cila gjendet në Graçanicë u shfaq si shqetësim kryesor  gjatë diskutimit. Banorët janë në rrezik nga ekspozimi ndaj elementeve toksike pasi që mbetjet e minierave përbëjnë një rrezik të konsiderueshëm për shëndetin për shkak të lëshimit të substancave toksike, të tilla si metalet e rënda dhe kimikatet.

Çështja e dytë e cila shfaq një potencial të lartë të rrezikut ndaj shëndetit publik është ndotja e lumit Vracanka nga ujërat e zeza dhe mbeturinat. Rruga ujore e ndotur jo vetëm që rrezikon jetën ujore, por gjithashtu përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin e njeriut e sidomos të nxënësëve që vijojnë mësimet në shkollën pranë këtij lumi.

Gjatë diskutimit u theksua poashtu edhe gjendja e trafikut të mbingarkuar në rrugën Gjilan-Prishtinë në Graçanicë e cila u tha se paraqet implikime shëndetësore. Frekuentimi i saj kontribuon në ndotjen e ajrit, duke ndikuar negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme.

Lexo Më Shumë
Waste and sewage flow are a risk to public health in Peja

Mbeturinat dhe rrjedhja e ujërave të zeza rrezik për shëndetin publik në Pejë

Në nëntor të vitit 2023, në një diskutim të organizuar nga Syri i Vizionit për qytetarët dhe nxënësit e Pejës, Lendita Krasniqi nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik shpalosi rreziqet biologjike dhe kimike që i kanosen njeriut nga degradimi i mjedisit.

Duke qenë se në Pejë qytetarët paraprakisht kishin identifikuar dy zona që janë subjekt i degradimit natyror si akumulimi i mbeturinave në Parkun Kombëtarë të Rugovës dhe rrjedhjen e ujërave të zeza pranë shkollës fillore "Xhemajl Kada", atëherë edhe prezantimi u fokusua në pasojat shëndetësore që mund të shfaqen si rezultat i këtyre dy problematikave.

Krasniqi tha se hedhja pa kriter e mbeturinave në mjedise të hapura natyrore paraqet rreziqe të shumëanshme për shëndetin e njeriut. Akumulimi i mbeturinave në këto mjedise siç ështe rasti në Kuçishtë bëhet një terren pjellor për vektorët e sëmundjeve dhe fut kontaminues të rrezikshëm në ekosistem.

Duke kaluar në një çështje tjetër urgjente, Krasniqi trajtoi rrjedhën e rrezikshme të kanalizimit pranë një shkolle fillore. Ajo theksoi kërcënimet specifike që paraqiten për fëmijët, duke përmendur potencialin për sëmundjet që vijnë nga uji dhe ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj patogjenëve.

Në takim u se shkarkimet e patrajtuara të ujërave të zeza mund të kenë pasoja afatgjata në shëndetin publik sepse ky shkarkim shkakton një spektër të gjerë sëmundjesh. Ndotës të tillë si bakteret, viruset dhe parazitët e pranishëm në ujërat e zeza mund të rezultojnë në infeksione gastrointestinale, kolerë, ethe tifoide dhe hepatit A. Ekspozimi mund të çojë gjithashtu në infeksione të lëkurës, probleme të frymëmarrjes dhe infeksione të syve.

Përfundimisht, Krasniqi, bëri thirrje për veprim kolektiv për të adresuar këto sfida mjedisore. Qytetarët dhe nxënësit e pranishëm në diskutim të shqetësuar kërkuan zgjidhje institucionale, veçanërisht në lidhje me rrjedhjen e rrezikshme të ujërave të zeza pranë shkollës.

Lexo Më Shumë

Na shkruani

Si mund të qasem në formularin e Raportimit në platformë?

Çfarë informacioni personal nevojitet për të paraqitur një raportim?

Si mund të bashkëngjes imazhe ose video?