Në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW), KDI ka prezantuar platformën KDI-Green (www.kdigreen.org), një mjet inovativ që synon mobilizimin e komunitetit për raportimin e degradimit mjedisor dhe për të kontribuar në politikat e qëndrueshme mjedisore. Ngjarja tërhoqi qytetarë dhe aktivistë, të cilët u njohën me funksionimin e platformës dhe mënyrat se si mund të kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit përmes raportimit të rasteve të ndotjes.
Platforma synon të adresojë problemet kritike mjedisore në Kosovë, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin dhe mirëqenien e komunitetit lokal. KDI-Green inkurajon qytetarët të marrin pjesë aktive në ruajtjen e mjedisit përmes raportimit të rasteve të ndotjes dhe degradimit në nivel lokal. Duke krijuar një hapësirë të lehtë dhe të qasshme për qytetarët dhe për përfshirjen e komunitetit, platforma synon të fuqizojë zërin e qytetarëve dhe të lehtësojë ndërveprimin mes tyre dhe institucioneve. Kjo infrastrukturë digjitale përmirëson transparencën dhe nxit bashkëpunimin për zbatimin e politikave mjedisore të qëndrueshme.
Platforma është krijuar në kuadër të projektit “Promovimi i Aktivizmit të Gjelbër Komunitar në Kosovë” i cili zbatohet nga KDI, në bashkëpunim me Alancën Qytetare për Transparencë (AQT) dhe Mbështetet nga Fondi për Demokraci i Kombeve të Bashkuara (UNDEF).