Iniciativa Qytetare Skenderaj (IQS) mori pjesë në dëgjimet buxhetore të organizuara nga Komuna e Skenderajt, të mbajtura në Sallën e Kuvendit Komunal. IQS parashtroi disa kërkesa konkrete që lidhen me përmirësimin e ambientit dhe mbrojtjen nga degradimi.
Ndër kërkesat kryesore të paraqitura ishin trajtimi i deponisë së mbetjeve inerte që ndodhet pranë fushës ndihmëse të futbollit, si dhe deponia ilegale në afërsi të impiantit në fshatin Llaushë. Këto hapësira janë një problem serioz për komunitetin dhe kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të ambientit.
Përfaqësuesit e Komunës së Skenderajt shprehën angazhimin e tyre për të adresuar këto çështje, ndërsa IQS u deklarua se do të vazhdojë të monitorojë progresin dhe zbatimin e këtyre zotimeve në të ardhmen.
IQS mbetet e përkushtuar në promovimin e një mjedisi të pastër dhe të qëndrueshëm në Skenderaj, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet lokale dhe organizatat partnere për të siguruar që kërkesat e qytetarëve të adresohen me përkushtim dhe seriozitet.