Organizata Joqeveritare "Fortesa" nga Kamenica ka përdorur dëgjimet publike të komunës për të ngritur dhe kanalizuar kërkesat konkrete për adresimin e çështjeve të rëndësishme mjedisore. Në kuadër të Planifikimit Buxhetor 2025-2027, "Fortesa" ka propozuar tri çështje kyçe për të cilat ka kërkuar përfshirjen e tyre në buxhetin e ardhshëm komunal.
Në propozimet e dorëzuara me shkrim Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, "Fortesa" ka theksuar rëndësinë e ndarjes së fondeve për zgjidhjen e këtyre problemeve:
Grumbulli i mbeturinave përreth lumit nga Pishina Shkodra deri në Berivojcë – Kërkohet ndarja e buxhetit për pastrimin e kësaj pjese, duke u fokusuar në mbrojtjen e mjedisit dhe parandalimin e degradimeve të mëtejshme.
Deponia ilegale e mbeturinave në Muciverc, rruga që çon për në Krenidell – "Fortesa" ka kërkuar ndarjen e mjeteve për largimin e këtyre mbeturinave dhe vendosjen e tabelave që ndalojnë hedhjen e mbeturinave, duke parashikuar edhe ndëshkime për shkelësit. Gjithashtu, është propozuar ndarja e fondeve për vitin 2025 për funksionalizimin e lokacioneve të posaçme për deponi mbeturinash.
Ujërat e zeza në lumin e Hogoshtit – Është kërkuar ndarja e fondeve për rregullimin e shtratit të lumit dhe sanimin e problemit me ujërat e zeza që po e ndotin atë.
OJQ "Fortesa" është pjesë e projektit "Promovimi i Aktivizmit të Gjelbër Komunitar në Kosovë," i cili realizohet në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI). Ky projekt synon të nxisë aktivizmin qytetar dhe përfshirjen komunitare në identifikimin e degradimeve mjedisore, mbrojtjen e mjedisit, si dhe monitorimin dhe promovimin e politikave të gjelbra lokale.
Me këtë iniciativë, "Fortesa" synon të sigurojë që këto probleme mjedisore të rëndësishme të trajtohen në mënyrë të përshtatshme dhe që qytetarët e Kamenicës të kenë një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm.