Në kuadër të projektit "Promovimi i Aktivizmit të Gjelbër Komunitar në Kosovë", organizata joqeveritare partnere e KDI-së, "Mundësia", me mbështetjen e Fondi i Kombeve të Bashkuara për Demokraci (UNDEF), organizoi platformën e diskutimeve "ORA E GJELBËR" në hapësirën e jashtme pranë Liqenit akumulues në Mitrovicë. Ky event u zhvillua në Ditën e Tokës dhe kishte për qëllim të nxisë një dialog konstruktiv mes autoriteteve lokale dhe komunitetit rreth zbatimit të politikave dhe projekteve të gjelbërta në nivel lokal.
Përmes kësaj ngjarje u mundësua komunikimi mes komunitetit lokal dhe autoriteteve lokale, ku u diskutua mbi transparencën dhe llogaridhënien nga autoritetet në zbatimin e politikave dhe projekteve të gjelbra. Gjatë këtij diskutimi, u prezantuan disa nga premtimet e gjelbra të kryetarit dhe u trajtua si çështje kryesore menaxhimi i mbetjeve industriale, e cila është një problematikë e kahmotshme, si dhe sfidat në ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza.
Diskutimet e gjelbërta pritet të rrisin vlerën e pjesëmarrjes së qytetarëve lokalë në proceset vendimmarrëse dhe të mundësojë komunitetet të marrin pjesë më aktivisht dhe të kenë një rol në menaxhimin e vendimeve të tyre lokale.