Ndotja e lumenjve dhe mungesa e kujdesit ndaj tyre vlerësohet si një ndër problemet kyçe në Komunën e Kamenicës. Në veçanti përmenden lumenjt në fshatrat Koretin dhe Berivojcë.
Ky konstatim, si dhe problemet me mbeturiat dhe mungesën e hapësirave të gjelbra, janë përmendur në kuadër të organizimit të “Orës së gjelbër” në Kamenicë, të organizuar nga OJQ Fortesa. Përfaqësues të Komunës, organizata të shoqërisë civile, si dhe qytetarë të kësaj komune kanë diskutuar rreth premtimeve të kryetarit të kësaj komune për politikat e gjelbra.
Qytetarët kanë ngritur edhe çështje të tjera sa i përket ambientit dhe mungesës së investimeve për më shumë hapësira të gjelbra dhe kujdes ndaj natyrës.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Komunës, Faton Jakupi dhe Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Kamenicës, Zotrim Kastrati, kanë premtuar se do të bëjnë zgjidhje të shpejta për rregullimin e këtyre lumenjve, si dhe kanë folur për mundësinë e mirëmbajtjes dhe investimeve në përmirësimin e gjendjes së mjedisit.