Në diskutimin "Pasojat e degradimit mjedisor në shëndetin e njeriut" të organizuar në nëntor nga SHL Kosova dhe të udhëhequr nga kimisti Bekim Nazifi u shpalosën pasojat e shëndetësore me të cilat rrezikohen qytetarët e Rahovecit nga degradimi i mjedisit.
Bekim Nazifi adresoi një sërë shqetësimesh urgjente, duke filluar me gurëthyesit që operojnë pranë qytetit e që lëshojnë grimca në ajr nga përpunimi i gurit. Këto grimca të cilat janë të rrezikshme përfundojnë në ujë, ajër dhe tokë e që në mënyra të ndryshme kontraktohen nga banorët lokal.
Më tutje, Nazifi, shtjelloi implikimet e mundshme shëndetësore të ekspozimit të zgjatur ndaj këtyre ndotësve të rrezikshëm dhe tërhoqi vëmendjen për materialet kancerogjene të pranishme në tre llojet e gurëve të përpunuar në këto gurore, duke i lidhur me rritjen e prevalencës së banorëve të Rahovecit që vuajnë nga leukemia dhe kanceri.
Rahoveci vlerësohet të ketë tokën më të ndotur me pesticide në Kosovë për shkak të pesticideve të pakontrolluara që përdoren në vreshta. Ekspozimi ndaj këtyre pesticideve, përveç degradimit të tokës, është lidhur me një gamë çështjesh shëndetësore, duke përfshirë problemet e frymëmarrjes, çrregullimet neurologjike dhe forma të ndryshme të kancerit.
Poashtu, mungesa e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Rahovec, sipas Nazifit, rrit rreziqet shëndetësore pasi ujërat e zeza të patrajtuara derdhen në mjedis, duke i ekspozuar banorët ndaj patogjenëve të dëmshëm sic është edhe shembulli i lumit "Dullo".
Rrjedha e këtij lumi tashmë është një vendgrumbullim i mbeturinave si dhe adresë ku thertoret e kafshëve dhe bodrumet e verës i hedhin mbetjet e tyre. Ky kontaminim mjedisor përbën një kërcënim të madh për banorët, sepse i rrit gjasat e sëmundjeve të shkaktuara nga ujit duke sjellë komplikime afatgjata shëndetësore.
Në përgjigje të këtyre problemeve mjedisore u sollën një sërë rekomandimesh për të zbutur pasojat shëndetësore të degradimit të mjedisit në Rahovec. Sugjerimet përfshinin mbjelljen e gjerë të fidanishteve në zonat urbane, pajisjen e shkollave të mesme me laboratorë për të matur cilësinë e ujit dhe ajrit, ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, kontrollimin e përdorimit të pesticideve, nxitjen e nismave për riciklimin e mbetjeve nëpërmjet granteve dhe rritjen e gjobave për ndotjen e mjedisit.