Në një diskutim publik mbi efektet e dëmshme të ndotjes së mjedisit në shëndetin e njeriut, ekologia Nora Simitçiu prezantoi pasojat e rënda që sjellë ndotja nga materialet e pranishme në deponitë inerte në "Kodrën e Trimave" dhe fshatin Shkabaj.
Nora Simitçiu sqaroi se në këto deponi të vendosura pranë venbanimeve, prania e membranës bituminoze përbën një rrezik të konsiderueshëm mjedisor dhe shëndetësor. Membrana bituminoze, e cila përdoret zakonisht për hidroizolim, përmban substanca të dëmshme si PAH dhe VOC. Ekspozimi i njerëzve dhe kafshëve ndaj këtyre grimcave u cek se mund të çojë në një gamë të gjerë sëmundjesh, duke përfshirë kancerogjenitetin.
Poashtu, u tha se pambuku mineral i qelqit, një material tjetër izolator i pranishëm në këto deponi, paraqet një rrezik për banorët lokalë. Ekspozimi ndaj fibrave të pambukut mineral të qelqit, të cilat fibra mund të lëvizin lehtësisht përmes erës, mund të paraqesin rreziqe të konsiderueshme shëndetësore për qytetarët që jetojnë pranë deponive të hapura.
Simitçiu theksoi se gomat e vjetruara të makinave që u panë në këto deponi mund të lëshojnë kimikate dhe toksina të dëmshme si benzeni, hidrokarburet aromatike policiklike (PAH) dhe metale të rënda në ajër, tokë dhe ujë. Këto substanca çojnë në probleme të ndryshme shëndetësore për individët që jetojnë në afërsi të tyre, duke përfshirë problemet e frymëmarrjes dhe efektet e mundshme afatgjata si kanceri.
Plastika dhe stiropori, të dyja të pranishme gjerësisht në këto deponi janë materiale jo të biodegradueshme. Derisa këto materiale me kalimin e gjatë të kohës shpërbëhen ato lëshojnë mikroplastikë në mjedis e cila dihet se shkakton dëmtim të strukturave qelizore në trup.
Në përgjigje të shqetësimeve të përshkallëzuara, qytetarët kërkuan të adresohet kjo çështje duke hequr urgjentisht deponinë dhe propozuan që këto deponi të shndërrohen në zona publike të qëndrueshme. Duke kërkuar një zgjidhje, ata propozuan për shndërrimin e hapësirave aktuale të deponive në një mjedis më të shëndetshëm dhe rekreativ për lagjen.