Në përpjekje për të adresuar degradimin alarmant mjedisor nga derdhja e ujërave të zeza në lumin Llapi dhe liqenin e Batllavës, në dhjetor në Podujevë u organizua njw diskutim publik nga OJQ Ekovizioni me temë "Pasojat shëndetësore të degradimit mjedisor" me qëllim që qytetarët të njoftohen me dëmet shëndetësore me të cilat mund të ballafaqohen nga kontaminimi mjedisor.
Biologu Mentor Bici e drejtoi diskutimin, duke filluar me një pasqyrë gjithëpërfshirëse të ndotjes, duke përfshirë aspektet biologjike, fizike dhe kimike, dhe duke theksuar rolin e ndryshimeve klimatike dhe aktiviteteve njerëzore në përkeqësimin e këtyre shqetësimeve.
Në këtë prezantim u theksua prania e gjerë e mikroplastikës, e derivateve të tyre dhe e ujërave të zeza në mjedis, pasojat e të cilave janë afatgjate dhe pothuajse të pakthyeshme.
Diskutimi u thellua në rreziqet shëndetësore që lidhen me degradimin e mjedisit, veçanërisht sëmundjet e transmetuara përmes ujit të pijshëm të kontaminuar. Bici numëroi patogjenë të ndryshëm përgjegjës për sëmundjet e shkaktuara nga uji, duke përfshirë, Legjionelozën, Kolerën, Kriptosporidiozën, Enterovirusin, Giardiasis, Hepatitin A dhe E, Listeriozën, Leptospirozën, Salmonelën, Tifonë dhe sëmundjet që kontribuojnë në 90% të vdekjeve të fëmijëve si pneumonia dhe çrregullimet neonatale.
Gjatë prezantimit dolën edhe disa rekomandime kryesore për të mbrojtur shëndetin publik dhe mjedisin.
Folësi Bici, propozoi zbatimin e biofilmave në tubacionet e ujit për të penguar përhapjen e patogjenëve bakterialë, si dhe praktikën e vlimit të ujit si një mjet për eliminimin e patogjenëve nga uji. Gjithashtu, u sugjeruan masa infrastrukturore, duke përfshirë ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza dhe heqjen e sistemeve të ujërave të zeza nga lumenjtë dhe liqenet, sepcifikisht në rastin e lumit Llapi dhe Liqenin e Batllavës.
Rekomandimet e Bicit për autoritetet ishin përfshirja e masave të rrepta për të kontrolluar degradimin e shtretërve të lumenjve, frenimin e hedhjes masive të mbetjeve dhe parandalimin e ndotësve toksikë që prishin stabilitetin natyror të trupave ujorë ndërsa në anën tjetër qytetarët e pranishëm shprehën shqetësimet e tyre për situatën aktuale duke bërë thirrje për veprim tek institucionet dhe duke kërkuar që të bashkëpunojnë në miratimin dhe zbatimin e këtyre masave për të shmangur përkeqësimin e mjedisit, për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e burimeve ujore në Podujevë.