Në një diskutim publik të organizuar nga OJQ Mundësia në Mitrovicë, Dr. Teuta Fejza nga Instituti i Shëndetit Publik prezantoi pasojat e ndotjes së mjedisit dhe implikimet në shëndetin publik. Diskutimi theksoi nevojën urgjente për ndërgjegjësimin e komunitetit dhe përpjekjet e bashkërenduara për të trajtuar ndikimin e dëmshëm të ndotjes tek qytetarët.
Teuta Fejza e nënvizoi dëmin e thellë që ndotja u shkakton organizmave të gjallë, duke e bërë pothuajse të pamundur jetën në zonat e prekura. Ajo identifikoi faktorë të ndryshëm që kontribuojnë në ndotjen duke përfshirë tymin e emetuar nga fabrikat dhe automjetet, aktivitetin minerar, shpyllëzimin, depozitimin e parregullt të mbetjeve dhe çlirimin e substancave të dëmshme.
Ajo theksoi gjithashtu efektet negative të mbipopullimit në zona të caktuara urbane, duke përmendur ndërtimin e ndërtesave të larta dhe praninë e pamjaftueshme të hapësirave të gjelbra. Më vonë u konstatua se sëmundjet që vijnë nga faktorët e lartpërmendur përfshijnë kancerin, sëmundjet e zemrës, sëmundjet e mushkërive, astmën bronkiale, alergjitë, bronkitin kronik dhe sëmundje të ndryshme infektive.
Fejza ka folur më tej për ndotjen e ujit, duke u lidhur me faktin se 4 lumenjtë e qytetit të Mitrovicës janë në një gjendje alarmante nga ndotja me mbeturina dhe me ujëra të zeza. Burimet e tilla të kontaminuara të ujit mund të çojnë në një mori sëmundjesh të shkaktuara nga uji, duke sjell infeksione gastrointestinale. Poashtu, u cek se ky ujë i kontaminuar mund të çojë në një prevalencë të shtuar të sëmundjeve të shkaktuara nga uji si kolera, dizenteria dhe hepatiti A.
Në adresimin e ndotjes së tokës, Teuta Fejza nënvizoi pasojat e saj për shëndetin e njerëzve. Toka e kontaminuar me substanca të rrezikshme mund të rrezikojë sigurinë e burimeve ushqimore, duke çuar potencialisht në konsumimin e toksinave. Kjo, nga ana tjetër, mund të rezultojë në sëmundje të tilla si çrregullime gastrointestinale, neurologjike dhe dëmtime të përgjithshme të organeve.
Qytetarët e pranishëm në diskutim ngjashëm shprehën shqetësimet e tyre për ndotjen me të cilën ballafaqohen e sidomos për ndotjen minerare nga minierat e këtij qyteti.
Banorët ngritën pyetje në lidhje me rreziqet që lidhen me metalet e rënda si dhe pasojat e mundshme për shëndetin publik nga ekspozimi ndaj metaleve të rënda dhe ndikimit specifik qe mund ta kenë në sistemin nervor. Pjesëmarrësit kërkuan sqarime mbi rrugët përmes të cilave kontraktohen metalet e rënda nga njeriu dhe efektet që ato mund t'i kenë në mirëqenien neurologjike.
Përfundimisht, nga ligjëruesja u konfirmua se qytetarët e Mitrovicës vijojnë t'i ekspozohen rrezikut nga metalet e rënda për vite me radhë dhe se pasojat shëndetësore janë afatgjate dhe të parikuperueshme.