Në një diskutim publik të organizuar në nëntor nga Rrjeti Qeliza me qytetarët e Gjakovës, u ngritën shqetësime për pasojat e rënda shëndetësore që vijnë nga degradimi i mjedisit në rajon. Diskutimi, ku morën pjesë ekspertë të mjedisit, profesionistë shëndetësorë dhe qytetarë, shfaqi nevojën urgjente për veprim për të adresuar ndotjen e shumëanshme që prek komunitetin e Gjakovës.
Diskutimi filloi me Nalina Berisha, higjieniste nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e cila shtjelloi ndotjen dhe implikimet shëndetësore që lidhen me degradimin e mjedisit në rajon.
Sipas Berishës, Gjakova përballet me lloje të ndryshme të ndotjes, por më të theksuara janë ndotja industriale dhe ajo shtëpiake.
U tha se depozitimi i mbetjeve industriale dhe shtëpiake siç është edhe rasti i degradimit të rajonit të Shkugëzës ndikon në krijimin e pasojave të rënda shëndetësore. Hedhja në vende joadekuate e atyre mbeturinave ndikon në lëshimin e toksinave të dëmshme në tokë, ajër dhe në burime të ujit, duke çuar në një mori sëmundjesh në mesin e popullatës lokale. Prezantimi theksoi pasojat shëndetësore të një ndotjeje të tillë, siç është paraqitja e astmës, diabetit, stresit, kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe pulmonare.
Gjatë diskutimit, qytetarët kërkuan që të zbatohet parimi ku ndotësi paguan për të adresuar degradimin, duke kërkuar përgjegjësi nga palët përgjegjëse për dëmet mjedisore që shkaktojnë. Qytetarët shprehën pakënaqësi për ndotjen e vazhdueshme të rrjedhave të ujërave nga kanalizimet si dhe ndotjen e shkaktuar gjatë dimrit nga përdorimi i kripës në asfalt e cila përfundimisht derdhet në lumenj përmes ujërave atmosferik.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte ndikimi mjedisor i ndërtimeve të reja që nuk respektojnë standardet e përcaktuara nga ligjet e planifikimit hapësinor. Pjesëmarrësit kërkuan monitorim të rreptë të praktikave të ndërtimit dhe përfshirjen e sistemit BIODISK në çdo ndërtesë për të filtruar shkarkimet e ujërave të zeza të cilat po e cenojnë shëndetin publik.
Në fund pjesëmarrësit propozuan krijimin e një platforme për të raportuar ndotësit e mjedisit. Kjo iniciativë sipas tyre do të fuqizonte qytetarët që të kontribuojnë në mënyrë aktive në monitorimin dhe mbajtjen përgjegjës të atyre që degradojnë ambientin e Gjakovës.