Në një diskutim publik të organizuar nga Rrjeti AVONET, të mbajtur në shkurt e të udhëhequr nga gazetari Afrim Demiri në Ferizaj, shqetësimet për degradimin urban u vendosën në qendër të vëmendjes ndërsa qyteti po përballet me pasojat e betonizimit dhe mungesës së hapësirave të gjelbra. Lejet urbanistike që krijojnë deformime urbane u theksuan si një nga shkaktarët kryesorë të këtij degradimi.
Ferizaji po përballet me përhapjen e hapësirave publike të dominuara nga betoni, zhvillimin e lagjeve që nuk përmbushin kriteret e planifikimit urban, mungesën akute të hapësirave të gjelbra dhe mungesën e pemëve/drunjve brenda qytetit. Këto sfida po kontribuojnë kolektivisht në vështirësitë me të cilat përballen qytetarët, duke nënvizuar nevojën urgjente për planifikim gjithëpërfshirës urban dhe nisma mjedisore për të rritur cilësinë e jetesës brenda qytetit.
Në diskutim u përmend së praktika e betonizimit po vazhdon tani të shtrihet edhe jashtë qytetit, në zona malore të cilat janë një aset natyror për komunën e Ferizajot. Betonizimi i zonave mjedisore në Jezerc shton një tjetër shtresë shqetësimi, pasi përdorimi i betonit dhe asfaltit kontribuon në degradimin e kësaj pjese. Betonizimi i ambientit në Jezerc përbën një kërcënim serioz për habitatet dhe ekosistemet e tij. Transformimi i kësaj zone përtej degradimit të vlerës estetike të rajonit, prish ekuilibrin delikat që mbështet florën dhe faunën duke e rrezikuar biodiversitetin. Gjatë diskutimit u bë thirrje për të mbrojtur nga një situatë e tillë zonat si Brezi i Saraishtës, Dalja e Varoshit, Parku i Lirisë dhe Rjedha e Degës së Sazlisë dhe të mos lejohet të përsëritet praktika e prerjes së 100 drunjve që kishte ndodhur në Parkun e Lirisë.
Përballë këtyre sfidave kritike, është gjithnjë e më e dukshme se veprimet urgjente janë të domosdoshme për të siguruar mbrojtjen e integritetit urban dhe mjedisor të Ferizajt. Është thelbësore të avokohet për një zhvillim urban të mirëplanifikuar, duke përfshirë praktika të qëndrueshme për krijimin e një qyteti që jo vetëm përmirëson cilësinë e jetës për qytetarët e tij, por gjithashtu ka prioritet shëndetin dhe mirëqenien e tyre.