Image

Mitrovica përballet me krizë mjedisore: Nevojiten masa urgjente për deponinë e Gërmovës dhe Shalën e Bajgorës

Organizata joqeveritare me bazë në Mitrovicën e Jugut, “Mundësia”, në tetor të vitit 2023 në bashkëpunim me pjesëtarët e komunitetit dhe organizatat e shoqërisë civile në Komunën e Mitrovicës organizuan vizita në dy lokacione të cilat janë subjekt i degradimit të rëndë mjedisor: në deponinë e vjetëruar ilegale në fshatin Gërmovë dhe në Shalë të Bajgorës.

Deponia ilegale e vjetëruar në Gërmovë: Një rrezik publik për shëndetin dhe mjedisin

Deponia ilegale në Gërmovë, të cilës, sipas banorëve i ka skaduar afati që në vitin 2015, është kthyer në një degradim mjedisor të përmasave të larta. Vëllimi i mbetjeve të grumbulluara tashmë ka arritur nivele kritike, duke shkaktuar një kundërmim të rëndë që përhapet në të gjithë zonën dhe që çdo ditë rritë rrezikun e ndonjë shpërthimi të sëmundjeve epidemike. Banorët dhe bizneset lokale po e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë këtë situatë duke theksuar nevojën urgjente për ndërhyrje. Banorët për vite me radhë kanë kërkuar nga institucionet lokale një zgjidhje rreth këtij problemi.

Nexhmedin Hajredini shprehu se jetesa në fshatrat pranë deponisë është bërë e padurueshme. Kushtet janë përkeqësuar ndjeshëm dhe se janë vërtet të shqetësuar për rreziqet shëndetësore që vijnë nga vëllimet e mbeturinave që qëndrojnë aty. Sipas këtij banori, rreziku i kësaj deponie vjen edhe nga ventilimi jo i rregullt i gazrave të akumuluara (metanit) në brendësi të mbeturinave dhe se kjo deponi edhe mund të eksplodojë dhe të përhap zjarr duke shkaktuar pasoja të rënda.

 

Shpyllëzimi dhe ndotja kërcënojnë Shalën e Bajgorës

Shala e Bajgorës, një aset i rëndësishëm i biodiversitetit të Kosovës, tani po përballet me efektet e dëmshme të vizitave turistike të kësaj pjese. Vizitat e shpeshta të qytetarëve gjatë fundjavës kanë rezultuar në ndotje të gjerë dhe prerje të paautorizuara të drunjve për ndezje të zjarrit dhe qëllime komerciale.

Murat Hoti, aktivist i komunitetit theksoi se degradimi i kësaj zone po ndodh shkaku i personave të pandërgjegjshëm të cilët e shfrytëzojnë këtë pjesë gjatë fundjavës dhe se pasojat e këtyre vizitave në Shalën e Bajgorës nuk janë vetëm mjedisore, por ndikojnë edhe në mirëqenien e komunitetit.

Pasojat e shpyllëzimit dhe ndotjes shtrihen shumë përtej degradimit të menjëhershëm mjedisor. Këto aktivitete prishin ekosistemet, duke çuar në erozion të tokës, humbjen e biodiversitetit dhe rrezikimin e cilësisë së ujit. Në rastin e Shalës së Bajgorës, habitati natyror është nën kërcënim serioz, duke kërkuar veprim urgjent.

Na shkruani

Si mund të qasem në formularin e Raportimit në platformë?

Çfarë informacioni personal nevojitet për të paraqitur një raportim?

Si mund të bashkëngjes imazhe ose video?