Anëtarët e komunitetit të Rahovecit, së bashku me përfaqësues nga OJQ-të SHL Kosova gjatë muajit tetor organizuan vizita në dy lokacione që janë subjekt i degradimit natyror në këtë komunë.
Ndotja e lumit Dullo pranë shkollës: Një kërcënim për ekosistemin dhe nxënësit
Vendndodhja e parë që u vizitua ishte lumi "Dullo", shtrati i të cilit rrjedh ngjitur me shkollën. Ky lum me vite është degraduar duke u bërë vatër e shkarkimit të ujërave të zeza dhe hudhjes së vazhdueshme të mbeturinave. Kjo ndotje, përveç që bart pasoja të gjera për ekosistemin e lumit, paraqet rreziqe të mundshme për shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve që vijojnë mësimet në shkollë. Shkarkimi i ujërave të zeza, dhe hudhja e mbetjeve nga distileritë e verës sjellin kimikate dhe patogjenë të dëmshëm, duke kompremetuar cilësinë e ujit e cila është jetike për jetën e peshqve dhe mikroorganizmave tjerë, duke prishur ekuilibrin e biodiversitetit të lumit. Për nxënësit që ndjekin mësimet në shkollën aty pranë, ndotja e lumit "Dullo" përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin dhe sigurinë e tyre.
Deponia e mbetjeve inerte në hyrje të qytetit: Një shqetësim mjedisor në rritje
Vendndodhja e dytë që përbën shqetësim mjedisor është një vendgrumbullim mbetjesh inerte që ndodhet në hyrje të qytetit të Rahovecit. Qytetarët kanë raportuar se deponia është e mbushur me materiale ndërtimi me përmbajtje kancerogjene. Deponia e mbushur me mbeturina ndërtimore, paraqet një kërcënim të madh shëndetësor për Rahovecin prandaj edhe qytetarët u shprehën të gatshëm që të angazhohen aktivisht në fushatat e avokimit për menaxhimin e duhur të mbeturinave dhe iniciativat për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.