Një grup anëtarësh të komunitetit së bashku me Rrjetin e OJQ-ve AVONET gjatë muajit tetor kanë vizituar disa lokacione brenda qytetit për të identifikuar zonat që janë subjekt i degradimit mjedisor. Ndërtimi i nënkalimit që lidh dy anët e qytetit dhe një sërë kompleksesh ndërtimi në Lagjen e Re konsiderohen që janë ndërtuar pa respektuar kriteret e planifikimit urban, duke cënuar kështu hapësirat e gjelbra dhe duke i kontribuar betonizimit të hapësirave publike.
Problemet e identifikuara kanë ngritur shqetësime në mesin e anëtarëve të komunitetit dhe organizatave të përfshira, duke theksuar nevojën urgjente për planifikim të qëndrueshëm urban dhe përpjekje për ruajtjen e hapësirave të gjelbëra brenda qytetit të Ferizajt. Qytetarët theksuan nevojën që të ndërmerren hapa për zhvillimin e strategjive për rivitalizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, për të siguruar një qytet më të “jetueshëm”, më të qëndrueshëm dhe më eko-miqësor.