Image

Degradim mjedisor në Kaçanik nga ujërat e zeza dhe pluhuri i fabrikës së çimentos

Me qëllim të evidentimit të rasteve të degradimit të mjedisit, qytetarët e Kaçanikut së bashku me përfaqësues të OJQ-së “Gjethi” dhe KDI, gjatë muajit tetor kanë realizuar dy vizita në terren ku kanë identifikuar dy çështje urgjente mjedisore që kanë efekt direkt në ambient dhe në kualitetin e jetës së tyre. Ndotja e kronike e lumit "Nerodime" dhe ndotja e mjedisit që buron nga një fabrikë betoni përbëjnë shqetësimet kryesore për komunitetin.

Shkarkimi i vazhdueshëm i ujërave të zeza në lumin Nerodime

Lumi Nerodime që kalon përmes qytetit të Kaçanikut është nën një kërcënim të madh për shkak të shkarkimit të ujërave të zeza nga qytetet e afërta si Ferizaji, Kaçaniku dhe Hani i Elezit. Qytetarët në deklaratat e tyre kujtojnë një kohë kur lumi "Nerodime" ishte një nga lumenjt më të pastërt, një dëshmi e shëndetit të tij ekologjik të karakterizuar nga prania e gaforreve – krijesa që dihet se banojnë vetëm në ujëra të pastra. Kurse në ditët e sotme, posaçërisht gjatë stinës së verës, me uljen e nivelit të lumit, një kundërmim i padurueshëm përshkon mjedisin, duke e bërë gati të pamundur për banorët të jetojnë aty afër, madje duke detyruar edhe disa nga ata të lëshojnë vendbanimin e tyre. Kjo ndotje nuk është vetëm e dëmshme për ekosistemin lokal, por gjithashtu përbën një rrezik për mjedisin më të gjerë, pasi lumi përfundimisht bifurkohet dhe derdhet në Detin Egje dhe në Detin e Zi.

Rreziku nga pluhuri i çimentos

Për qytetarët e Kaçanikut operimi i fabrikës së çimentos përveç që ka rezultuar në një rritje të niveleve të zhurmës, prodhon sasi tepër të mëdha të pluhurit, duke e bërë sfiduese përditshmërinë e banorëve që jetojnë përreth. Kjo në fakt ka detyruar shumë banorë të lëshojnë vendbanimet e tyre.
Pluhuri që buron nga fabrika e çimentos sipas qytetarëve shtrihet në fusha dhe kopshte, duke i bërë ato të papërpunueshme për kultivim. Edhe ato të mbjellura që kultivohen dëmtohen nga ky pluhur. Kjo ka bërë që edhe hapësirat bujqësore që për gjenerata janë përdorur për kultivim të shndërrohen në djerrina, duke ndikuar në jetesën dhe sigurinë ushqimore. Përveç ndotjes së ajrit dhe tokës, pluhuri përbën rrezik për shëndetin e qytetararëve duke shkaktuar kështu probleme të frymëmarrjes.

Na shkruani

Si mund të qasem në formularin e Raportimit në platformë?

Çfarë informacioni personal nevojitet për të paraqitur një raportim?

Si mund të bashkëngjes imazhe ose video?