Image

Monitorimi i projektit për Furnizimin me çanta ekologjike, tabela vetëdijësuese dhe shporta për mbeturina në Mitrovicë

KDI në bashkëpunim me OJQ-në “Mundësia” ka përfunduar monitorimin e kontratës publike të lidhur nga Komuna e Mitrovicës për “Furnizimin me çanta ekologjike, tabela vetëdijësuese dhe shporta për mbeturina”, me vlerë prej 17,888.75 euro.

Nga monitorimi në terren u vu re se kontrata është përmbushur vetëm pjesërisht. Produktet janë pranuar nga komuna, por nuk është e qartë kur do të vendosen të gjitha në lokacionet e planifikuara apo do të shpërndahen sipas qëllimit të projektit.

Në rrugën Mbretëresha Teutë janë vendosur rreth 50 nga 100 shporta të planifikuara, ndërsa 46 shportat e mbetura janë ende të papërdorura dhe sipas raportit të zyrtarëve komunalë janë ruajtur në magazinën në fshatin Frashër. Nuk është specifikuar një afat i qartë për vendosjen e tyre në vendin e destinuar në rrugën Ali Zeneli.

Gjithashtu, nuk ka dëshmi për shpërndarjen e 3,500 çantave ekologjike me vlerë rreth 10,000 euro. Komuna ka bërë të ditur se shpërndarja do të bëhet gjatë aktiviteteve mjedisore si Dita e Tokës (22 prill), Dita e Mjedisit (5 qershor) dhe Dita pa Qese Plastike (3 korrik). Megjithatë, për Ditën e Tokës nuk është vërejtur asnjë njoftim apo paralajmërim zyrtar për shpërndarjen e çantave.

Komuna e Mitrovicës do të marrë një raport të detajuar me gjetjet dhe rekomandimet e monitorimit, me qëllim përmirësimin e zbatimit të kontratave publike dhe rritjen e transparencës ndaj qytetarëve.

Ky monitorim thekson rëndësinë e përkushtimit ndaj përfundimit në kohë të projekteve dhe komunikimit të qartë me publikun për aktivitetet dhe shpenzimet publike.

Për më shumë gjeni videon e këtij procesi këtu: https://www.youtube.com/watch?v=FGdCOvuchhQ 

Na shkruani

Si mund të qasem në formularin e Raportimit në platformë?

Çfarë informacioni personal nevojitet për të paraqitur një raportim?

Si mund të bashkëngjes imazhe ose video?