Image

Qytetarët auditojnë projektin e pyllëzimit dhe rregullimit të parkut në Kodrën e Sherretëve

Organizata AvoNet, së bashku me një grup qytetarësh dhe një agronom, realizuan një auditim social për të vlerësuar përputhshmërinë e punimeve me kontratën e projektit “Pyllëzimi dhe rregullimi i parkut në Kodrën e Sherretëve”, me një vlerë mbi 917,000 euro.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe një vizite në terren, grupi auditoi komponentët kyç të projektit dhe identifikoi disa çështje që kërkojnë vëmendje nga Komuna e Ferizajt.

Gjetjet kryesore:
Dendësia e lartë e mbjelljeve të planifikuara
Sipas kontratës, është planifikuar mbjellja e rreth 5,000 drunjve, një numër i konsideruar i tepërt për sipërfaqen e parkut, duke marrë parasysh ndërtimet e tjera të planifikuara si amfiteatri, këndi i lojërave dhe pikat e informacionit. 

Mungesa e një plani të detajuar
Qytetarët konstatuan se nuk ka një plan detal për integrimin e elementeve të ndryshme të parkut duke krijuar paqartësi të mëtutjeshme.

Zgjedhja e papërshtatshme e drunjve
Në planin e mbjelljes përfshihet plepi i bardhë, një specie e njohur për shkaktimin e alergjive, e cila nuk është e përshtatshme për hapësira publike. Prania e tij mund të ndikojë negativisht në shëndetin e vizitorëve, veçanërisht fëmijëve dhe personave me ndjeshmëri ndaj alergjive.

Cilësia e dheut dhe mungesa e një plani për fertilizim
Gjatë inspektimit në terren, u konstatua se dheu ekzistues nuk është i përshtatshëm për mbijetesën e bimëve, gjë që mund të ndikojë në zhvillimin e drunjve. Po ashtu, kontrata nuk përmban një plan të qartë për fertilizimin e bimëve, një faktor kyç për rritjen dhe mbijetesën e gjelbërimit në park.

Rreziku nga cilësia e dobët e punimeve në shëtitoren metalike
Një tjetër çështje e rëndësishme e evidentuar ishte saldimi i dobët i shëtitores metalike, e cila ndodhet në një lartësi të konsiderueshme. Qytetarët vlerësuan se këto punime mund të përbëjnë një rrezik serioz sigurie për qytetarët dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Rekomandimet për Komunën e Ferizajt

Rishikimi i planit të mbjelljes – Reduktimi i numrit të drunjve në përputhje me hapësirën reale të parkut dhe planifikimin e infrastrukturës ndihmëse.

Eliminimi i plepit të bardhë nga plani i mbjelljes – Për të shmangur ndikimet negative në shëndetin e qytetarëve, rekomandohet zëvendësimi i tij me specie të tjera më të përshtatshme për hapësira publike.

Sigurimi i një plani detal për publikun – Duhet të ofrohet një plan i qartë që përcakton vendosjen e elementeve të parkut dhe mënyrën e integrimit të tyre, duke garantuar transparencë të plotë në procesin e zbatimit të projektit.

Përshtatja e dheut dhe përfshirja e një plani për fertilizim – Duhet të bëhen përmirësime në cilësinë e dheut për të siguruar mbijetesën e bimëve, si dhe të përfshihet një strategji për fertilizimin e tyre.

Rishikimi i punimeve në shëtitoren metalike – Urgjentisht duhet të kryhen inspektime dhe ndërhyrje për të siguruar që saldimi i shëtitores metalike përmbush standardet e sigurisë.

Për më shumë gjeni videon këtu: https://www.youtube.com/watch?v=mEWZ6xpMiHE 

Na shkruani

Si mund të qasem në formularin e Raportimit në platformë?

Çfarë informacioni personal nevojitet për të paraqitur një raportim?

Si mund të bashkëngjes imazhe ose video?