Image

Qytetarët e Skenderajt mbikqyrin punimet në murin mbrojtës të lumit Klina

Më 18 dhjetor 2024, KDI dhe organizata IQS inspektuan punimet në fshatin Tushilë të Skenderajt lidhur me ndërtimin e një muri mbrojtës për të parandaluar rrëshqitjet e dheut pas vërshimeve të janarit 2023, me vlerë 32,932.65 euro.

Pavarësisht pranimit teknik nga Komuna e Skenderajt, auditimi social gjeti se punimet nuk përputheshin me kontratën. Muri mbrojtës rezultoi më i ulët se specifikimet, ndërsa gjerësia e tij nuk ishte e përcaktuar fare në kontratë. Një inspektim tjetër nga IQS më 8 mars konfirmoi se gjendja kishte mbetur e njëjtë.

Në këtë kuadër, janë dhënë disa rekomandime për të përmirësuar menaxhimin dhe mbikëqyrjen e projekteve publike:

  • Në kontrata të përcaktohen qartë dhe me detaje të gjitha dimensionet e ndërtimit (gjatësia, gjerësia, lartësia) për të shmangur interpretimet e ndryshme gjatë zbatimit.
  • Të sigurohet që titulli dhe përmbajtja e kontratës të përputhen me punimet në terren.
  • Të përdoren kode të dedikuara buxhetore për projekte specifike për të shmangur paqartësitë dhe ndryshimet e panevojshme në përmbajtjen e kontratave.
  • Gjatë mbikëqyrjes së projekteve, të sigurohet se punimet kryhen sipas dimensioneve të kontraktuara dhe në përputhje me dokumentacionin teknik.
  • Të përdoren standarde të qarta për llogaritjen e materialeve, duke përfshirë kubikët e betonit dhe përmasat fizike të strukturave, për të shmangur paqartësitë në vlerësimin e realizimit të projektit.
  • Pranimi teknik të bëhet vetëm pasi të jetë siguruar përfundimi i plotë i punimeve sipas kontratës dhe dokumentacionit teknik.
  • Të vendosen mekanizma më të rreptë për inspektimin e punimeve, duke përfshirë raporte dhe fotografi të detajuara nga terreni.

Ky auditim është pjesë e nismës së Aleancës Qytetare për Transparencë, e cila po monitoron projektet publike në 12 komuna të Kosovës për të rritur llogaridhënien mbi investimet publike.

Gjeni videon për më shumë këtu: https://www.youtube.com/watch?v=d-tsifNPqIY 

 

Na shkruani

Si mund të qasem në formularin e Raportimit në platformë?

Çfarë informacioni personal nevojitet për të paraqitur një raportim?

Si mund të bashkëngjes imazhe ose video?