
Në kuadër të projektit Promovimi i Aktivizmit të Gjelbër në Komunitet, ka nisur procesi i auditimit social në 12 Komuna të Kosovës, që ka për synim vlerësimin e zbatimit të projekteve të gjelbra në terren dhe përfshirjen e komunitetit në këtë proces.
Një grup qytetarësh dhe aktivistësh të angazhuar në auditimin social kanë marrë pjesë në vlerësimin e projektit për bicikletat në Prishtinë. Ky grup ka vizituar stacionet e biçikletave, ka shqyrtuar specifikimet teknike dhe ka analizuar zbatimin e këtij projekti në praktikë. Projekti, që realizohet në kuadër të kontratës me numër 616-23-4130-1-1-1, Furnizimi me bicikleta për Kryeqytetin, synon zbatimin e Planit të Mobilitetit, duke krijuar mundësi për përdorimin e biçikletave nga qytetarët, me qëllim uljen e varësisë nga automjetet dhe promovimin e një mënyre më të qëndrueshme të lëvizjes.
Gjatë vizitës në terren, ekipi vlerësoi realizimin e kontratës dhe përputhshmërinë e saj me qëllimet e projektit. Ky auditim social përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe përfshirjes aktive të komunitetit në monitorimin e projekteve publike.
Të gjeturat dhe rekomandimet e identifikuara gjatë këtij procesi do t’i adresohen Komunës së Prishtinës për të siguruar përmirësime në zbatimin e projekteve të ardhshme.